Rrjetet e KRGJSH
Miratimi i ligjit nr. 72.2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë” i cili përafron Direktivën INSPIRE 2007/2KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, si dhe krijimi i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG, si institucion përgjegjës për implementimin e këtij ligji, hodhi bazat ligjore dhe institucionale të nevojshme për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike (KRGJSH). Kërkesat që vendos Direktiva ”INSPIRE” për definimin e gjeoinformacionit në një referencë hapësinore Evropiane, referencë e cila luan një rol bazik në harmonizimin dhe interoperabilitetin që lidhet me pozicionimin e informacionit, që trajtohet në 33 temat e tjera të Direktivës, është kthyer në një prej angazhimeve kryesore të ASIG. Një nga aktet e para nënligjore të iniciuara nga ASIG dhe të miratuara nga qeveria shqiptare, në funksion të realizimit të një reference gjeodezike moderne, me standarde evropiane, për të gjithë përdoruesit e koordinatave gjeodezike në Shqipëri ishte VKM nr. 669, datë 7.8.2013 “Për Miratimin e Rregullave për Përcaktimin, Krijimin dhe Realizimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), si metadatë”, e ndryshuar me VKM nr. 322, datë 27.04.2016 dhe VKM nr. 359, datë 29.05.2019. Ky vendim u pasua me miratimin e Udhëzuesit të Ministrit të Inovacionit me Nr.3, datë 06.09.2013 “Për përcaktimin e pikave gjeodezike me ndihmën e Sistemeve Globale Satelitore të Navigimit (GNSS)” dhe me përgatitjen e një standardi më të detajuar për temën “Përcaktimi i kornizës referuese gjeodezike dhe kontrolli gjeodezik”. Bazuar në këto akte, sektori përgjegjës për KRGJSH, pranë ASIG, është angazhuar në ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, të kombinuara midis tyre, të cilat duhet të kenë pika të përbashkëta, me rrjetet gjeodezike ekzistuese në Shqipëri dhe me rrjetet ekzistuese që mbulojnë aktualisht territorin e kontinentit Evropian, për ti mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS për përcaktimin me efiçencë të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës, mbi sipërfaqe dhe nën sipërfaqen e saj. Baza unike gjeodezike e Republikës së Shqipërisë përfshin rrjetet e mëposhtme:
- Rrjetin Shtetëror të Pozicionimit Global;
- Rrjetin Shtetëror Gravimetrik;
- Rrjetin Shtetëror të Nivelimit;
- Rrjetin Shtetëror të Mareografëve;
- Rrjetin e Stacioneve Magnetometrike