Rrjeti Shtetëror Gravimetrik
1.Rrjeti Shtetëror Gravimetrik ka si qëllim kryesor të mundësojë një bazë cilësore të dhënash gravimetrike të nevojshme për përcaktimin e Gjeoidit Gravimetrik të saktësisë së lartë për territorin e Shqipërisë i cili do të shërbejë për ndërtimin e një sistemi të ri lartësish fizike në përputhje me standardet evropiane.
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik është pjesë e KRGJSH-së dhe ka në përbërjen e tij:
a) Rrjetin Shtetëror Gravimetrik të Rendit Zero (3 pika);
b) Rrjetin Shtetëror Gravimetrik të Rendit të Parë (42 pika);
c) Rrjetin Shtetëror Gravimetrik të Rendit të Dytë (338 pika);
d) Rrjetin Shtetëror Gravimetrik të Rendit të Tretë (772 pika);
Pikat gravimetrike absolute të rendit zero (Shkodër, Tiranë, Sarandë) dhe 42 pikat e rrjetit gravimetrik relativ të rendit të parë përbëjnë Datumin Gravimetrik Shqiptar.
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik i Rendit Zero
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik i Rendit Zero përbëhet nga tre pika absolute, në të cilat është matur vlera absolute e nxitimit gravitacional të forcës së rëndesës, duke përdorur gravimetra absolute me saktësi të lartë.
Stacionet absolute në territorin e vendit ndodhen në: Shkodër, Tiranë, Sarandë.
Ky rrjet shërben si bazë referimi për mbështetjen e rrjeteve gravimetrike të rendeve më të ulëta dhe siguron ruajtjen e Datumit Gravimetrik Shqiptar përmes matjeve absolute.
Pikat absolute gravimetrike janë stabilizuar në blloqe masive betoni, të ndërtuara mbi struktura gjeologjike të qëndrueshme, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik i Rendit të Parë
Rrjeti Gravimetrik Shtetëror i Rendit të Parë është pjesë e të Dhënave Gravimetrike Shqiptare dhe shërben për të dendësuar Rrjetin Gravimetrik Shtetëror të Rendit Zero.
Ky rrjet përbëhet nga 42 pika, të shpërndara në mënyrë uniforme në territorin e vendit, në distanca që variojnë nga 35 deri në 50 km. Të gjitha pikat janë të stabilizuara në blloqe betoni, të ndërtuara mbi struktura gjeologjike të qëndrueshme, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.
Në këto pika është matur nxitimi gravitacional i forcës së rëndesës, duke përdorur dy gravimetra relativë të kalibruar, të cilët ofrojnë saktësi të lartë në matjet gravimetrike relative, në përputhje me metodat gravimetrike standarde.
Devijimi standard në përcaktimin e nxitimit absolut të gravitetit në pikat e këtij rrjeti nuk kalon vlerën 10 × 10⁻⁸ m/s².
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik i Rendit të Dytë
Rrjeti Gravimetrik i Rendit të Dytë shërben për dendësimin e mëtejshëm të Rrjetit Gravimetrik Shtetëror të Rendit të Parë dhe përbëhet nga 338 pika, të shpërndara në territorin e vendit, të cilat janë të stabilizuara në blloqe betoni.
Pikave të këtij rrjeti u janë përcaktuar vlerat e nxitimit gravitacional të forcës së rëndesës, duke përdorur gravimetra relativë të kalibruar, të cilët ofrojnë saktësi të lartë në matjet gravimetrike relative, në përputhje me metodat standarde të matjeve gravimetrike relative.
Devijimi standard në përcaktimin e nxitimit absolut të gravitetit në pikat e Rrjetit të Rendit të Dytë nuk kalon vlerën 20 × 10⁻⁸ m/s².
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik i Rendit të Tretë
Rrjeti Gravimetrik i Rendit të Tretë përfaqëson fazën përfundimtare të densifikimit të Rrjetit Gravimetrik Shtetëror. Ky rrjet luan një rol kyç në sigurimin e të dhënave gravimetrike tokësore të nevojshme për përllogaritjen e një modeli të saktë dhe të detajuar të gjeoidit për territorin e Shqipërisë.
Deri në vitin 2024 janë matur gjithsej 772 pika të këtij rrjeti, të shpërndara në mënyrë të uniforme në të gjithë vendin. Objektivi ynë për të ardhmen është rritja e dendësisë së këtij rrjeti, sipas standardeve teknike gravimetrike ndërkombëtare:
1 pikë çdo 2 km² në zonat fushore
1 pikë çdo 4 km² në zonat malore
Shënim: Pikat e Rrjetit të Rendit të Tretë nuk janë të materializuara fizikisht në terren. Saktësia e matjes së gravitetit në këto pika është shumë e lartë, me devijimin standard që nuk kalon vlerën 30 × 10⁻⁸ m/s².
Këto të dhëna do të kontribuojnë në ndërtimin e një gjeoidi gravimetrik me saktësi dhe rezolucion të lartë, i cili është thelbësor për aplikime të ndryshme në fushat e gjeodezisë, hartografisë, inxhinierisë dhe planifikimit hapësinor.
Rrjeti Shtetëror Gravimetrik (Gjeoidi Gravimetrik Shqiptar)
Modelimi i gjeoidit gravimetrik përfshin një hapësirë gjeografike midis koordinatave 38.5°–43.5° N dhe 18.0°–22.0° E, duke mbuluar të gjithë territorin shqiptar dhe zonat përreth. Në këtë projekt janë përdorur metoda të avancuara si Katrorët më të Vegjël të Kolokacionit (LSC) dhe Transformimi i Shpejtë Furier (FFT) për të ndërtuar modele të sakta të gjeoidit.
Të dhënat përbëhen nga më shumë se 63,000 pika gravimetrike, të mbledhura nga Shqipëria, Greqia dhe rajonet përreth, duke përfshirë edhe të dhëna detare nga altimetria satelitore.
Për analizën janë përdorur dy modele globale të fushës së gravitetit, EIGEN6c4 dhe XGM2019e. Efektet topografike dhe batimetrike janë llogaritur përmes Modelit të Terrenit të Mbetur (RTM), duke u aplikuar si me qasje klasike, ashtu edhe me qasje spektrale, për të garantuar kontroll dhe saktësi të lartë.
Gjeoidet e përftuar nga metodat e ndryshme (1D FFT, 2D FFT, LSC) janë validuar kundrejt 225 pikave GNSS/Nivelim, të ofruara nga ASIG, duke u krahasuar me datumet vertikale ekzistuese si ALB86, si dhe kundrejt 50 pikave të reja GNSS/Nivelim të bazuara në MSL të Durrësit.
Si përfundim, janë përftuar disa modele gjeoidesh, ku më i sakti ka rezultuar gjeoidi gravimetrik i llogaritur sipas metodës 2D FFT, bazuar në modelin global EIGEN6c4 dhe në reduktimin e mbetjeve të terrenit (RTM) sipas metodës spektrale, i cili ka arritur:
Saktësinë standarde prej 11.5 cm referuar pikave të rrjetit klasik ALB86
Saktësinë 6 cm referuar 50 pikave të reja të nivelimit, të bazuara në MSL të stacionit mareografik të Durrësit
Me qëllim llogaritjen e gjeoidit gravimetrik me rezolucion dhe saktësi të lartë (synim: 2–3 cm), i cili do të përfaqësojë në të ardhmen referencën gjeodezike vertikale moderne në Republikën e Shqipërisë, dhe për të përmbushur të gjitha nevojat e përdoruesve, ASIG është në zhvillim të mëtejshëm të këtij projekti si një nga pikat më të rëndësishme të tij.



