HYRJE MBI RRJETET E KRGJSH

HYRJE MBI RRJETET E KRGJSH

Miratimi i ligjit nr. 72.2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë” i cili përafron Direktivën INSPIRE 2007/2 KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, si dhe krijimi i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG, si institucion përgjegjës për implementimin e këtij ligji, hodhi bazat ligjore dhe institucionale të nevojshme për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike (KRGJSH). Kërkesat që vendos Direktiva ”INSPIRE” për definimin e gjeoinformacionit në një referencë hapësinore Evropiane, referencë e cila luan një rol bazik në harmonizimin dhe interoperabilitetin që  lidhet me pozicionimin e informacionit, që trajtohet në 33 temat e tjera të Direktivës, është kthyer në një prej angazhimeve kryesore të ASIG. Një nga aktet e para nënligjore të iniciuara nga ASIG dhe të miratuara nga qeveria shqiptare, në funksion të realizimit të një reference gjeodezike moderne, me standarde evropiane, për të gjithë përdoruesit e koordinatave gjeodezike në Shqipëri ishte VKM nr. 669, datë 7.8.2013 Për Miratimin e Rregullave për Përcaktimin, Krijimin dhe Realizimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), si metadatë”, e ndryshuar me VKM nr. 322, datë 27.04.2016 dhe VKM nr. 359, datë 29.05.2019. Ky vendim u pasua me miratimin e Udhëzuesit të Ministrit të Inovacionit  me Nr.3, datë 06.09.2013 Për përcaktimin e pikave gjeodezike me ndihmën e Sistemeve Globale Satelitore Navigimit (GNSS)” dhe me përgatitjen e një standardi më të detajuar për temën Përcaktimi i kornizës referuese gjeodezike dhe kontrolli gjeodezik. Bazuar në këto akte, sektori përgjegjës për KRGJSH, pranë ASIG, është angazhuar në ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, të kombinuara midis tyre, të cilat duhet të kenë pika të përbashkëta, me rrjetet gjeodezike ekzistuese në Shqipëri dhe me rrjetet ekzistuese që mbulojnë aktualisht territorin e kontinentit Evropian,  për ti mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS për përcaktimin me efiçencë të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës, mbi sipërfaqe dhe nën sipërfaqen e saj.

Baza unike gjeodezike e Republikës së Shqipërisë përfshin rrjetet e mëposhtme:

1.Rrjetin Shtetëror të Pozicionimit Global;

2.Rrjetin Shtetëror Gravimetrik;

3.Rrjetin Shtetëror të Nivelimit;

4.Rrjetin Shtetëror të Mareografëve;

5.Rrjetin e Stacioneve Magnetometrike

 

ASIG në funksion të krijimit të rrjeteve përbërese të KRGJSH gjatë një periudhe gati 15-vjecare ka bërë hapa konkret ,ku deri më tani ka implementuar me sukses pjesën më të madhe të rrjeteve të KRGJSH dhe në kuadër të krijimit të referencës gjeodezike vertikale të re ASIG për herë të parë në RSH, në vitin 2023 ka realizuar versionin e parë të gjeoidit gravimetrik bazuar në dhënat gravimetrike tokësore të tre rendeve të para të Rrjetit Shtetëror Gravimetrik.