Historiku
Në territorin e Shqipërisë, matjet e para gjeodezike që lidhen me ndërtimin e sistemin të referencës koordinative janë matjet e kryera nga Perandoria Austro-Hungareze gjatë viteve 1853-1875 në të gjithë territorin e Gadishullit Ballkanik, i cili në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Punimet gjeodezike janë kryer në kuadër të matjes ndërkombëtare të Habsburgëve “International Arc Measurements-International Grodmessung” me qëllim ndërtimin e një bazë gjeodezike të përshtatshme për hartëzimin e territorit në shkallën 1:75 000 dhe 1: 200 000. Gjatë viteve 1871-I875, ekipet gjeodezike austriake të cilave u janë bashkuar ekipet osmane janë angazhuar me matje gjeodezike të kryera në territoret aktuale të Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Rumanisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Si rezultat i këtyre matjeve, territori i Ballkanit u mbulua me pika gjeodezike në form trekendëshi.
Referenca koordinative nga Instituti Gjeografik Ushtarak i Vjenës (IGUW), Austri.
Gjatë viteve 1913 – 1918 Instituti Gjeografik Ushtarak i Vjenës u angazhua me ndërtimin e koordinative mbështetëse për hartografimin e territorit shqiptar (prej veriut deri në afërsi të lumit Vjosë) në shkallën 1:75 000, origjinalet fushore u rilevuan në shkallën 1:50 000.
Triangulacioni me dendësi 1 pikë/40 km2 u zhvillua në tre rende dhe u mbështet në disa baza rombike të dyfishta, njëra prej të cilave ishte baza e Shkodrës.
Për referencën vertikale IGUW përdori nivelimin trigonometrik dhe pjesërisht barometrik referuar Nivelit Mesatar të Detit Adriatik të përcaktuar nga batikografi i Triestes, Itali.
Referenca koordinative nga Instituti Gjeografik Ushtarak i Firences (IGJUF).
Instituti Gjeografik Ushtarak i Firences (IGJUF):
-Gjatë viteve 1922 – 1925 ndërtoi bazën koordinative gjeodezike mbështetëse në formë triangulacioni, apër rilevimin dhe krijimin e hartës së brezit kufitar shqiptar (me gjatësi 734 km dhe gjërësi të brezit kufitar 2 km) në shkallën 1:50 000.
-Gjatë viteve 1927 – 1934 ndërtoi bazën koordinative gjeodezike në formë triangulacioni me tre rende të mbështetur në dy baza të dyfishta rombike ( Shkodër,Vlorë) , për mbështetjen e hartografimit të territorit shqiptar në shkallën 1:50 000.
-Gjatë viteve 1930–32, IGUF krahas triangulacionit, realizoi edhe nivelim gjeometrik të saktësisë së lartë në vijën e nivelimit Durrës–Fier dhe Durrës-Tiranë. Gjithashtu u realizuan dhe disa vija nivelimi të rendit të dytë sipas rrugëve automobilistike Vorë-Shkodër-Pukë, Rrogozhinë-Elbasan dhe Lushnje-Berat.
-Pas vitit 1939 (gjatë luftës së dytë botërore) , për krijimin e hartave topografike të shkallave më të mëdha se 1:50 000 dhe të planeve topografike të zonave të banuara, në shkallën 1:5 000, baza gjeodezike e ndërtuar kaloi në sistemin referenc♪7 koordinative rus 1942, të bazuar në të dhënat gjeodezike: elipsoidi Krasovwsky, zona e 4 koordinative 6°, me meridian qëndror λ0 = 21°.
Referenca gjeodezike klasike ALB86 nga Instituti Topografik i Ushtrisë (ITU).
Referenca koordinative klasikeALB86 u ndërtua në periudhën 1970-1985 nga Instituti Topografik i Ushtrisë ITU (sot Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake GJIU) e cila përbëhet nga rrjeti i triangulacioni dhe nivelimi shtetëror.
Rrjeti gjeodezik planimetrik :
- “Triangulacioni i Shqipërisë”, është zhvilluar në tri rende dhe përbëhet prej rreth 1800 pikash gjeodezike, me një dëndësi mesatare 1 pikë për 15,6 km2
- Triangulacioni i rendit të parë përbën një rrjet të plotë trekëndshash me formë pothuajse të rregullt gjeometrike, me brinjë mesatare rreth 16 km2. Ky rrjet përbëhet prej 159 pikash dhe mbështetet në shtatë brinjë fillestare, të cilat ndodhen përkatësisht në Shkodër, Krumë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Sarandë. Në pikat fundore të brinjëve fillestare dhe të brinjës së hyrjes (Kamëz-Tapizë) të rrjetit të rendit të pare, janë përcaktuar azimutet e Laplasit. Si pikë fillestare e rrjetit u përcaktua pika e re astronomike (N8814) në Kamëz në afërsi të Universitetit Bujqësor, meqënëse pika e mëparëshme astronomike e Tiranës, e përcaktuar nga Instituti Gjeografik Ushtarak i Firences, rezultonte e prishur.
- Gabimi standart në pikat e këtij rrjeti nuk e kalon vlerën 12 cm.
- Kuotat e pikave të triangulacionit me lartësi deri në 500 m dhe pikave në terrene me pjerrësi jo të madhe, u përftuan nëpërmjet nivelimit gjeometrik shtetëror. Kuotat e pikave të tjera të triangulacionit u përcaktuan me anën e nivelimit gjeodezik.
- Triangulacioni shtetëror i ndërtuar nga ITU plotëson kërkesën e dëndësisë për rilevimin topografik në shkallën 1:5000.
Rrjeti gjeodezik naltimetrik :
- “Rrjeti i nivelimit shtetëror” u zhvillua në tre rende me gjatësi të përgjithshme të vijave të nivelimit prej 4200 km, ku në çdo 5 km janë fiksuar marka apo reperë nivelimi. Ky rrjet përbëhet nga 900 pika, me një dëndësi mesatare 1 pikë nivelimi për rreth 31km2 .
- Rrjetit të nivelimit shtetëror iu dha kuotë nga pika kryesore e Shkëmbit të Kavajës, kuota e së cilës u përftua nëpërmjet rrjetit fillestar të Durrësit, që mbështetet në rrjetin hidrometrik të portit detar, i cili u përcaktua nga pika e mareografit të Durrësit.
- Kuota e kësaj pike, që përfaqëson origjinën e lartësive të rrjetit të nivelimit shtetëror të Shqipërisë, e cila u përcaktua në bazë të të dhënave shumëvjeçare mareografike të nivelit të detit Adriatik.
- Kuotat e pikave të rrjetit të nivelimit shtetëror i referohen nivelit mesatar të detit Adriatik , të konsideruar në sistemin e lartësive të ortometrike-normale, pasi nuk janë matur vlerat e gravitetit real g.
Për arsye të zhvillimit të territorit dhe infrastrukturës rrugore gati 80 % e pikave të rrjetit të triangulacionit dhe nivelimit janë të dëmtuara.
Fushat e matjeve GNSS për kalimin nga ALB86 në ITRS/ETRF në Shqipëri.
Zhvillimi i teknologjive të reja , nga fundi i shekullit të XX, si: VLBI (Very Long Baseline Interferometry), LLR (Lunar Laser Ranging), SLR (Satellite Laser Ranging) and GNSS (Global Navigation Satellite System: GPS,GNSS, etj,) mundësuan llogaritjen me saktësi të lartë të qendrës së masës së Tokës, boshtit të rrotullimit të saj dhe parametrave të tjerë, të cilat sollën si rrjedhojë përcaktimin dhe realizimin e kornizave referuese gjeodezike globale mjaft të sakta. Ishin pikërisht këto arritje që nxorën përfundimisht jashtë përdorimit kornizat referuese gjeodezike “klasike” të cilat nuk mund të suportonin më kryerjen e rilevimeve topografike masive në të gjithë territorin e Shqipërisë, për projektimin dhe ndërtimin e veprave të ndryshme inxhinierike për nevojat e ekonomisë dhe mbrojtjes si dhe për zgjidhjen e shumë problemeve gjeodezike dhe hartografike kombëtare.
Në këto kushte u bë e domosdoshme dhe e nevojshme transformimi i gjithë të dhënave gjeohapësinore kombëtare (psh kufinjtë e pronave, pasurive publike, infrastrukturat si punimet elektrike, telekomunikacioni, rrugët, etj.) të bazuara në referencën koordinative klasike ALB86 në referencat koordinative globale dhe evropiane (ITRS/ETRS).
Për këtë qëllim në Shqipëri janë kryer disa fushata të ndryshme të matjes gjeodezike të bazuara në matjet satelitore GNSS(GPS) si:
- Fushata matëse e DMAAC, Tetor 1994
- Fushata matëse e Universitetit wisconsin, (PMU), Shkurt 1998
- Fushata matëse EUREF, në kuadrin e Projektit “CRODYN” , Shtator 1998
- Fushata matëse IGMF –IGUSH, (vjeshtë 2007 – pranverë 2008)
Nga fushatat e kryera më sipër, fushata e kryer prej ndërmjet Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë (IGIUS) dhe Institutit Gjeografik Ushtarak të Firenzes (IGM), rezultoi me rezultatet më të mira, e cila vendosi marrëdhëniet matematike më të mira të mundshme ndërmjet kornizës referencë ETRF2000 (ep. 2008.0) dhe kornizës referencë ALB86.
Fushat e matjeve GNSS për kalimin nga ALB86 në ETRF2000, të realizuara nga IGJIU dhe IGM gjatë viteve 2007-2008.
- Gjatë kësaj fushate u realizuan matjet GNSS në 150 pikat të ndara në dy rrjeteve: Rrjeti Dinamik (RDN) i cili përbëhej nga 14 pika dhe Rrjeti Statik (RSN) i cili përbëhej nga 136 pika. Pikat e Rrjeti Statik (14) pasi u maten me marrësa GNSS mbi 5 orë u përpunuan nëpërmjet softuerit Bernese 5.0 duke u bazuar në 7 stacione referencë EPN (PADOVA, MEDICINA, NOTI etj.). Koordinatat e tyre u llogariten në referencën ndërkombëtare ITRF2005(2008) dhe më pas u transformuan në referencën ETRF2000(2008). Pika e Rrjeti Statik (136) pasi u matën me marrësa GNSS për 3 orë u përpunuan nëpërmjet softuerit Trimble TGO duke u bazuar në 14 pikat e rrjetit RDN.
- Për transformimin në plan nga 150 pika u përdorën 90 pika të përbashkëta në ALB86 dhe ETRF2000 për percaktimin e 7 parametrave sipas metodës Helmert, të cilat mundësojnë transformimet e koordinatave ALB86 dhe ETRF2000, nëpërmjet softuerit ALBACO me saktësi 18 cm. Gjithashtu ky softuare mundëson konvertimin e kordinatave karteziane 2D në tre projeksione të ndryshme si: TM (21°), TMz (20°) dhe UTM (21°).
- Për transformimin në lartësi u krye një përshtatje lokale me EGM2008 duke përdorur 125 pika të përbashkëta në ALB86 dhe ETRF2000 për përcaktimin e 7 parametrave sipas metodës Helmert e cila mundëson llogaritjen e Lartësisë ortometrike nga Lartësia elipsoidale nëpërmjet softuerit ALBAGEO3 me saktësi 20 (68% nivel besimi) dhe 40 cm (95% nivel besimi).

