Rrjeti Shtetëror i Nivelimit do të mundësojë kontrollin dhe vlerësimin e saktësisë së gjeoidit gravimetrik final (ALB Geoid 202X) ku do të mbështetet referenca gjeodezike vertikale për përcaktimin e lartësive ortometrike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Rrjeti i ri Shqiptar i nivelimit do zhvillohet në dy rende. Rendi i parë do realizohet me nivelim gjeometrik, i cili do plotësojë kërkesat e saktësisë së Rendit I. Për dendësimin e mëtejshëm të këtij rrjetit (rendi II) është zgjedhur metoda e nivelimit me GNSS.
Rendi I do përbëhet nga 6 pika ekstreme të cilat do fiksohen afër kufirit të Shqipërisë dhe do shërbejnë si pika lidhëse me rrjetet e nivelimit
të vendeve fqinjë, 14 pika nyje në të cilat do bashkohen vijat e nivelimit
si dhe nga 18 pika ndërmjetëse, dhe të gjitha këto do jenë edhe pika të përbashkëta me pikat e rrjetit GNSS dhe rrjetit Gravimetrik të rendit parë.
Në funksion të implementimit të Rrjetit Shtetëror të Nivelimit, deri tani është realizuar nivelimi i linjës Durrës- Tiranë sipas metodës së nivelimit gjeometrik. Kjo linjë nivelimi përbëhet nga 25 sektorë, nga ku 13 sektorë janë realizuar matjet fushore sipas kritereve të klasit të parë me nivelën dixhitale SDL1X të saktësisë së lartë 0.2 mm për km dhe lata invar RBA-Code, BIS30A. Mëposhtë jepet skema e plotë e vijave të projektuara të nivelimit.